Vriten me breshëri automatike një 50- vjeçar dhe nipi i tij. Luigj Vuka, 50 vjeç dhe Dedë (Alket) Vuka, 31 vjeç, u qëlluan në pritë nga fqinji i tyre rreth një orë pasi ata ishin konfliktuar në lokalin e fshatit.
Policia e Kurbinit bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30 në fshatin Alk të komunës Fushëkuqe të këtij rrethi. Autori Ndue Gjini, 72 vjeç, e priti policinë në banesën e tij, ndërsa u dorëzoi edhe armën automatike me të cilën ekzekutoi me breshëri fqinjët e tij. Burime të Policisë bënë të ditur se viktimat kanë qenë duke u kthyer në banesë kur janë ndeshur me të moshuarin. Pak metra larg shtëpisë së tyre, Ndue Gjini u ka zënë pritë në rrugë.
Ai i ka dalë para mjetit furgon që drejtohej nga 50-vjeçari dhe i ka qëlluar duke i lënë të vdekur në vend. Breshëria e armës vetëm pak metra larg shtëpisë ka vënë në alarm familjarët e viktimave, por edhe banorët e fshatit. Ata gjetën të vrarë xhaxhain me nipin, ndërsa tentativa e tyre për t’i çuar me urgjencë drejt Spitalit të Laçit ka rezultuar i kotë pasi, sipas bluzave të bardha, ata kishin ndërruar jetë më parë. Policia e Kurbinit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në një kohë mjaft të shpejtë arriti të identifikonte dhe të arrestonte autorin.
Të afërm të viktimave i kanë pohuar grupit hetimor se familja Vuka ishte në konflikt me fqinjin e tyre që i ndante veç një gardh, për një copë tokë.
Ata nuk kishin arritur ta zgjidhnin konfliktin. Mbrëmë, 72-vjeçari dhe viktimat kanë qenë në të njëjtin lokal të fshatit. Policia bëri të ditur se ka qenë një konflikt i çastit, që çoi deri në tragjedinë e ndodhur. Ata kanë nisur sërish të shahen e ofendohen, derisa i moshuari ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në banesën e tij. Pasi ka marrë armën, ai e priti shënjestrën në afërsi të banesave të tyre. Pak metra larg shtëpisë, ai i ka dalë para mjetit, duke detyruar drejtuesin e saj të frenonte dhe më pas të ndalonte. Më pas ka nxjerrë armën dhe qëlloi në drejtim të tyre duke i lënë të vdekur në vend.
I arrestuari është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, ku është marrë në pyetje për ngjarjen.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ai ka pranuar krimin e rëndë. “Po, unë i vrava. Me ofenduan”. Kjo mësohet të ketë qenë dëshmia paraprake e të arrestuarit, ndërsa Policia nuk bëri të ditur detaje në lidhje me konfliktin për çështje pronësie ndërmjet dy familjeve. Viktimat me origjinë nga Mirdita kishin disa vite që ishin shpërngulur në zonën e Kurbinit./panorama/
Artikulli Konflikti në lokal, vriten me armë xhaxhai e nipi u shfaq së pari në Lajme Online.