Tiranë, 10 maj – Prokuroria e Tiranës kërkoi dje shpalljen fajtor dhe 15 vjet burg për Aldo Morinën, oficer të repartit special Komando. I pandehuri Morina akuzohet për “vrasje me dashje” me armën e tij të shërbimit të taksistit Mehmet Beqiri, më 1 janar të këtij viti, pas dyshimeve se ai i ngacmonte të ëmën, raporton ‘Panorama’. Në konkluzionet përfundimtare, prokurori u shpreh se nga hetimet rezulton e provuar se Aldo Morina ka konsumuar plotësisht akuzën. Prokurori i kujtoi trupit gjykues se për shkak se dosja në ngarkim të Morinës u gjykua me kohë të shkurtuar, përfundimisht dënimi i tij të jetë 10 vjet burg.
Në lidhje me ngjarjen, prokurori tha se më 1 janar 2013, rreth orës 14:00, i pandehuri Aldo Morina ka shoqëruar nënën e tij në punën e saj pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Pasi ka dalë nga territori i spitalit, ai ka vënë re pranë godinës së spitalit shtetasin Mehmet Beqiri, që dyshohej se në vitin 2007 kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me nënën e tij. Më herët, për sqarimin e këtij fakti, nga ana e shtetasit Aldo Morina i është kërkuar shtetasit Mehmet Beqiri që të mos krijoheshin konflikte familjare. Po sipas akuzës, pasi ka pritur pak çaste, i pandehuri ka parë nënë e tij të dalë nga godina e spitalit dhe të futet në automjetin e Beqirit. “Shtetasi Aldo Morina është afruar pranë automjetit të shtetasit Mehmet Beqiri dhe ndërmjet tyre ka filluar një debat me fjalë. Gjatë debatit, shtetasi Aldo Morina ka nxjerrë nga brezi armën luftarake dhe me anë të saj ka qëlluar disa herë mbi shtetasin Mehmet Beqiri, i cili ishte i ulur në vendin e drejtuesit të automjetit”, tha prokurori. Në vijim, Morina ka shkuar në repartin e tij, ku u ka rrëfyer eprorëve ngjarjen dhe më pas është dorëzuar në Polici.
Artikulli Vrau të dashurin e nënës, 15 vjet burg komandos u shfaq së pari në Lajme Online.