Me qëllim të parandalimit të krimit, ngritjes së sigurisë së përgjithshme në Kosovë, si dhe ngritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë edhe planin e veçantë për “sezonin veror”, i cili është në implementim e sipër, e që kryesisht përfshin ngritjen e masave shtesë me prezencë të njësiteve policore në të gjitha rajonet, duke përfshirë prezencën e shtuar në komunikacionin rrugor dhe vend kalimet kufitare më të frekuentuara.
Në njoftimin e PK-së për rezultatet e arritura në muajin korrik të këtij viti, thuhet se janë arrestuar gjithsej 598 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Nga këta, me autorizim të prokurorëve përkatës 344 prej tyre janë dërguar në qendrat e mbajtjes për vuajtje të dënimit.
Ndërkaq sa i përket aktiviteteve në implementimin e detyrave në fushën e sigurisë së komunikacionit rrugor, njësitet policore gjatë muajit korrik kanë shqiptuar 28 890 gjoba për kundërvajtësit të cilët nuk kanë respektuar ligjin mbi komunikacionin rrugor.
Policia e Kosovës në këtë komunikatë ka dhënë edhe disa shifra të tjera për muajin korrik. Sipas kësaj statistike, gjatë korrikut në vendin tonë në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 10 persona, kurse janë lënduar 469 të tjerë.