Hetuesit policorë të rajonit të Prishtinës të dielën kanë arrestuar një person me iniciale A. D të dyshuar për kryerje të veprës penale –grabitje, në muajin qershor të këtij viti.
Sipas Policisë, i dyshuari me 13.6.2013 rreth orës 02:00 pas mesnate, dyshohet se ka kryer veprën penale të grabitjes, duke u futur në lokalet e postës kryesore në Fushë Kosovë përmes dritares, duke e neutralizuar kështu rojën e postës nën kërcënimin e pistoletës dhe të dyshuarit kanë arritur që nga objekti dhe kasafortat të grabisin mbushje elektronike, Sim kartela dhe të holla të gatshme në vlerë 10 mijë e 648 euro.
“Pas arrestimit të të dyshuarit është bërë edhe bastisja e shtëpisë së të njëjtit në fshatin e lindjes së tij ku edhe banon, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar: një çantë në të cilën ka pas 21 Sim kartela të Vala 900, 188 mbushëse të vlerave të ndryshme të operatorit Vala në vlerë 1 mijë e 182 euro, 4 shirita paketues të kartelave dhe 1 mijë euro të apoenëve nga 50 euro të cilat kanë qenë me një qante të përbashkët me gjësendet tjera të konfiskuara të operatorit Vala e çka dyshohet se janë të holla të grabitura në postë”, njofton Policia.
Sipas tyre i dyshuari është dërguar në mbajtje me aktvendim mbi ndalimin, të lëshuar nga prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.