Dy nxënës të klasës së dhjetë të njërës nga shkollat e kryeqytetit kanë përfunduar në spital, si rezultat i rrahjes së rëndë dhe me këtë edhe çrregullimit të stresit postraumatik që kanë përjetuar të enjten në mesditë nga dy policë civilë të Policisë së Kosovës.
E tërë ngjarja ka ndodhur teksa dy të rinjtë pa lejen e prindërve kishin marrë veturën e tipit BMW dhe me të njëjtën kishin dalë në “shëtitje” në lagje, derisa dy policë civilë me një veturë “Jeep” ishin vënë në ndjekje të tyre duke pretenduar se në makinën BMW gjendej një person që po kërkohej nga policia e që për organet e rendit njihet me nofkën “Bishti”.
Fëmijët D. B. (16) dhe D. R. (16) teksa po lëviznin në rrugën në afërsi të gjimnazit “Eqrem Çabej” në kryeqytet kishin parë një veturë të zezë që sipas tyre kishte qenë xhip, e cila ishte ndalur përballë tyre. Dy të miturit pretendojnë se nuk e kishin ditur se dy personat në atë makinë ishin policë, për çka edhe nuk ishin ndalur, ndërsa kishin vazhduar rrugën e tyre. Vetura me dy policët civilë, u ishte vënë në ndjekje ndërsa të miturit nga frika kishin shpejtuar makinën e tyre.
Në një moment të miturit me veturën e tyre i ishin shmangur policisë, ndërsa duke mos e ditur rrugën, një kalimtar të moshës së vjetër e kishin pyetur se cila rrugë të shpie për në Parkun e Gërmisë. Plaku i cili kishte pasur të njëjtin cak, kishte hipur në makinë me dy të miturit. Policët civilë kishin vazhduar t’i ndiqnin duke u takuar kështu në një pengesë që ishte vënë në rrugë nga Forca e Sigurisë e Kosovës, të cilët po demontonin hapësira në Gërmi, shkruan zëri.
Fëmijët sipas raportit që ata e kanë përpiluar dhe të njëjtin e kanë dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës kanë treguar se aty ishin ndalur pasi që kishte qenë një pengesë dhe se kanë menduar që janë më të sigurt pranë pjesëtarëve të FSK-së. Vetura që po i ndiqte ishte afruar dhe nga aty kishin dalë dy persona civilë të cilët kishin pyetur se cili është “Bishti”.
Pa i identifikuar dy fëmijët dhe pa u siguruar që asnjëri nga ta nuk është “Bishti”, dy policët civilë i kishin fyer e sharë dy të miturit, ndërsa duke i goditur, i kishin shtrirë përtokë dhe ua kishin lidhur duart me pranga. Plaku që kishte qenë në shoqërimin e fëmijëve, sipas raporteve aktuale, ishte larguar me urdhër të dy policëve.
“Sjelljet e atyre dy personave prapë kishin vazhduar. Pas pak kohe në vendin e ngjarjes kishin ardhur edhe përforcime të tjera policore të shoqëruara nga një veturë e njësive speciale dhe dy vetura të policisë së rendit. Ankuesit e kishin kuptuar se tash kishin të bëjnë me zyrtarë policorë, dhe pse të prangosur policia prapë kishte përdorur forcë të panevojshme ndaj tyre”, thuhet mes të tjerash në raportin i cili është paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës së bashku me fotografitë e dy të miturve. Fotografitë tregojnë për rrahje brutale. Në pjesë të ndryshme të trupit vërehet dhuna e përdorur, ndërsa në trupin e njërit prej të miturve shihet edhe çizmja e policit që e kishte goditur në bark.
Fëmijët nga mesdita kur kishte ndodhur ngjarja e deri rreth orës 19.00 të mbrëmjes së të enjtes së javës së kaluar ishin mbajtur në stacion policor. Gjatë qëndrimit në stacion, ata i ka kontrolluar mjeku, i cili në raportin të cilin ka pasur qasje gazeta, kanë përshkruar lëndimet që kanë marrë dy të miturit.
Duke parë që asnjëri nga dy të miturit e ndaluar nuk kishte qenë “Bishti”, policia në konsultim me prokurorin e rastit Ruhan Salihun, kanë liruar të ndaluarit në të njëjtën ditë, ndërsa policia në raportin preliminar rastin e ka cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptar të mitur pasi që të njëjtit me veturën e tyre BMW me targa civile nuk janë ndalur në urdhrin e zyrtarëve policorë. Të dyshuarit kanë rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion dhe qytetarët. Njësiti policor pasi ka arritur t’i ndalojë të dyshuarit, të njëjtit kanë rezistuar dhe kanë sulmuar personin zyrtar, i cili ka pësuar lëndime në dorë. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar”, ka njoftuar policia në raportin 24-orësh të dërguar fundin e javës që lamë pas.
Por, të miturit kanë treguar se policët që u ishin vënë në ndjekje nuk kanë treguar shenja që janë policë. Ata e kanë kuptuar që janë arrestuar nga policia dhe se kanë të bëjnë me policë vetëm atëherë kur u janë lidhur duart.
“Rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa të hënën ndonëse është festë, unë jam kujdestar dhe si i tillë kam ftuar dy viktimat për t’i marrë në pyetje”, ka thënë të dielën prokurori i rastit Ruhan Salihu.
Pavarësisht kësaj, rasti tashmë është paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës, i cili sipas ligjit mes të tjerash ka mandat të parandalimit, zbulimit dhe dokumentimit e hetimit të veprave penale të kryera nga punonjësit e policisë pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit të detyrës, duke përfshirë këtu edhe hetimet mbi incidentet e profilit të lartë disiplinor, si dhe hetimin disiplinor të zyrtarëve policorë me gradën më të lartë të nivelit të lartë të menaxhimit dhe zyrtarëve të lartë të nivelit ekzekutiv.
The post Në kërkim të “Bishtit”, policia rrah fëmijët appeared first on Informohu.de.
Artikulli Në kërkim të “Bishtit”, policia rrah fëmijët u shfaq së pari në Lajme Online.