Prishtinë, 17 maj – Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani ka suspenduar me pagesë hetuesin A. N. të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) pasi që ndaj tij është iniciuar procedura hetimore nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Vendimi për suspendim bazohet në Ligjin nr. 03/L-231 për Inspektoratin Policor të Kosovës, neni 12 paragrafi 2, pika 2.2 dhe nenin 22 paragrafi 2 pika 2.2. të Udhëzimit Administrativ Nr. 13/MPB-2011, për përcaktimin e shkeljeve, masave disiplinore dhe procedurës disiplinore ndaj punonjësve të IPK-së, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati Policor i Kosovës është i vetëdijshëm që për të realizuar misionin ligjor, punonjësit e IPK-së duhet të karakterizohen nga integriteti dhe profesionalizmi.
IPK-ja, si agjenci ekzekutive mbikëqyrëse për Policinë e Kosovës, i garanton qytetarët se në vazhdimësi do të përmirësojë dhe fuqizojë mekanizmin e vetëkontrollit brenda organizatës.
Artikulli Suspendohet një hetues i Inspektoratit Policor të Kosovës u shfaq së pari në Lajme Online.